Gazeta Express, E enjte, 28 janar 2010
Preshevë, 27 Janar – Lugina e Preshevës ka përkujtuar shkrepjen e pushkës së parë në këtë rajon dhe 10-vjetorin e daljes në skenë të UÇPMB-së. Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇPMB, ka organizuar të mërkurën një akademi përkujtimore me rastin e daljes në skenë të kësaj ushtrie, si dhe 9-vjetorit të rënies së dëshmorit të parë, Besim Faikut. Në këtë akademi u vu në pah roli dhe rëndësia e krijimit të UÇPMB-së, për parandalimin e dhunës shtetërore të Serbisë, të ushtruar ndaj popullatës
së pambrojtur shqiptare të këtij rajoni. Kryetari i OVL të UÇPMB-së në Bujanoc, Nagip Aliu, ka ngritur lartë idealin e dëshmorëve dhe rëndësinë e luftës së zhvilluar për këtë rajon, duke thënë se shkaku i daljes në skenë e UÇPMB-së ishte vrasja e vëllezërve Saqipi nga Dobrosini, nga policia kriminale serbe. Ndërsa, ish-shefi i Këshillit politik të UÇPMB-së, Jonuz Musliu, duke folur për rëndësinë historike të kësaj lufte që u zhvillua një dekadë më parë në këtë rajon, u ndal edhe te Marrëveshja e Paqes së Konçulit. Përfaqësuesit e Këshillit Organizativ në fund të tubimit, bën homazhe dhe vendosen kurora lulesh në kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Tërnoc të Bujanocit.
No comments:
Post a Comment